Secondary Adv

Shpallen 1500 fituesit për kredi të buta për vitin 2026 nga Bashkia e Tiranës

Bashkia e Tiranës shpall rreth 1,500 fitues të rinj për kredi të buta me interes 3 për qind për blerjen e banesave.

Bashkia e Tiranës ka shpallur rreth 1,500 fitues të radhës nga aplikimet për programin social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, i cili synon të mbështesë individët dhe familjet me të ardhura të ulëta për blerjen e një banese në kryeqytet. Lista e aplikuesve të përzgjedhur, të cilëve do t'u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit, është dërguar për miratim në mbledhjen e muajit tetor të Këshillit Bashkiak të Tiranës.


Programi i kredive të buta zbatohet prej disa vitesh dhe ka qenë një nga nismat e para të kryebashkiakut Erion Veliaj në fillim të detyrës së tij. Ai synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve që kanë vështirësi për të përballuar kostot e larta të blerjes së një apartamenti, përmes subvencionimit të një pjese të interesave të kredisë.


Sipas kushteve të programit, përfituesit kanë mundësi të marrin kredi për blerjen e banesës me një normë interesi prej 3 për qind, duke siguruar kushte më të favorshme financimi krahasuar me kreditë standarde të tregut.


Çfarë duhet të bëjnë fituesit për të përfituar kredinë e butë?

Pas miratimit të listës së fituesve nga Këshilli Bashkiak, aplikuesit e përzgjedhur duhet të paraqiten pranë bankave të nivelit të dytë me të cilat Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi, për të vijuar procedurat e përfitimit të kredisë së butë për blerjen e apartamentit.

Vlera e kredisë që mund të përfitojë secili aplikues përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të përcaktuara në programin e subvencionimit.


Përfitimi i financimit realizohet sipas procedurave dhe kushteve përkatëse të programit dhe bankave pjesëmarrëse.Programi synon t'u krijojë mundësi familjeve me të ardhura të kufizuara që të sigurojnë një banesë përmes një kredie me kushte më të favorshme, në një kohë kur kostot e larta të banimit në Tiranë vijojnë të përbëjnë një vështirësi për shumë qytetarë.


Lista me rreth 1,500 aplikuesit e përzgjedhur është në pritje të miratimit nga Këshilli Bashkiak, pas të cilit do të mund të vijojnë procedurat bankare për përfitimin e kredive të subvencionuara.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat